Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për përjashtimin e 7 gjyqtarëve, ku pretendohet se refuzuan transparencën e zgjedhjeve në 3 qarqe. Sipas Kolegjit akuzat e PD janë të pabazuara. Më herët gjatë ditës së sotme, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu e quajti mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor si “urgjencë të paparë”.

Partia Demokratike kërkoi dje përjashtimin e 7 nga 8 gjyqtarët e Kolegjit nga procesi i shqyrtimit të padive të saj për zgjedhjet e 25 prillit, pasi kanë vulosur rezultatin në 3 qarqe të vendit në Berat, Vlorë e Gjirokastër. PD kërkon përjashtimin e gjyqtarëve Alma Kolgjoka, Asim Vokshi, Emona Muçi, Esmaralda Çika, Gentjan Medja e Manjola Xhaxho dhe Sokol Ibi. Në një kërkesë drejtuar Kolegjit Zgjedhor, PD pretendon se këta gjyqtarë nuk garantojnë paanshmëri në gjykim për 6 paditë e tjera që pritet të shqyrtohen brenda këtyre ditëve.