Drejtuesit e Liverpool janë zhgënjyer nga Jurgen Klopp për një gabim, më i madhi që kur ai ka ardhur në Anfield. Një javë për t’u harruar për Reds që në stadiumin Armando Maradona të Napolit humbën 4-1 ndaj italianëve. Një debutim në Champions League për t’u harruar për skuadrën angleze, e cila tashmë po tenton të rikuperojë në kuadër të ndeshjeve të ardhshme europiane dhe të kampionatit. Gjermani, për momentin, mbetet në stolin e Liverpool, por në Merseyside klima nuk është e qetë. Drejtuesit e klubit janë të zhgënjyer me Klopp. Për humbjen e Napolit? Në të vërtetë, jo. Ish-tekniku i Borussia Dortmund ka bërë një gabim, më të madhin që nga hyrja në Premier League.

Gabimi ka një emër dhe një mbiemër: Darwin Nuñez. Blerja e uruguaianit, shpjegon El Pais, është gabimi më i madh i Jurgen Klopp që prej uljes në stolin e Reds, të paktën sipas drejtuesve. 23-vjeçari mbërriti nga Benfica në verë për 75 milionë euro, por marrëveshja “parashikon një shpërblim të ndryshueshëm me shumën totale që mund të arrijë në 100 milionë euro”. Blerja më e shtrenjtë ndonjëherë për shoqërinë. Lojtari, i cili shënoi 34 gola në 41 ndeshje sezonin e kaluar, ka nënshkruar një kontratë gjashtëvjeçare deri në qershor 2028.

Pas pakënaqësive të para në Premier League dhe tronditjes së pësuar në Napoli, drejtuesit e klubit janë mbledhur për të analizuar situatën dhe duket se e kanë drejtuar gishtin nga blerja e sulmuesit. Një investim që deri më tani nuk ka dhënë rezultat.

Lojtari, në ditën e debutimit të tij me fanellën e Reds, u përjashtua me karton të kuq për shkak se i dha një goditje me kokë Andersen të Crystal Palace. E kuqja i kushtoi Nuñezit tre javë skualifikim për sjellje të dhunshme. Me Liverpool deri më tani ka koleksionuar 2 gola në 3 paraqitje në të gjitha garat. Pak për drejtuesit e lartë të klubit, të cilët shpresonin për performancë shumë më të mirë. Tani Reds shpresojnë vetëm që uruguaiani të kthehet në një makinë shënimi.