Skuadra e Liverpool arriti në finale të Ligës së Kampionëve për herë të tretë brenda pesë viteve, me fitoren me rezultat të përgjithshëm ndaj Villareal 2-5. Për këtë arritje ‘The Reds’ kanë fituar shuma të mëdha të parave, ndërsa mund të fitojnë edhe më shumë në rast të suksesit në finale kundër Real Madrid.


Të gjithë e dimë që skuadrat europiane që kualifikohen sa më lartë në garat europiane fitojnë edhe shuma marramendëse. Por, klube të famshme europiane ishin ankuar se nuk ishin të mjaftueshme këto të holla dhe kishin pasur ndërmend të formojnë të ashtuquajturën ‘Superliga Europiane’. Megjithatë, ata në fund nuk ia arritën edhe pse ka drejtues të klubeve që ende bëjnë përpjekje.

 

Liverpool pretendohet se ka fituar rreth 100 milionë funte nga Liga e Kampionëve deri më tani këtë sezon, por kjo shumë mund të rritet edhe më shumë, rreth 43 milionë funte nëse në fund kurorëzohen me titullin e Ligës së Kampionëve, sipas Liverpool Echo.

 

Këto të holla do të jenë një ndihmë mjaft e madhe për drejtuesit e Liverpool edhe për transferime gjatë afatit kalimtar të verës, ku nuk janë të pakët futbollistët për të cilët skuadra e drejtuar nga Jurgen Klopp është interesuar.

Kujtojmë se finalja e Ligës së Kampionëve do të luhet më 28 maj në Paris, më saktësisht në stadiumin ‘Stade de France’ me fillim nga ora 21:00.