Kirurgu shqiptar në Amerikë, Rifat Latifi, do të jetë ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë. Ky lajm u njoftua nga kryeministri Albin Kurti përmes një konferencë për shtyp. Latifi do të zëvendësojë në këtë detyrë Arben Vitinë, i cili hoqi dorë nga drejtimi i ministrisë për shkak se garoi nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Prishtinës. Megjithatë rezultatet finale e shpallën humbës përballë rivalit të LDK, Përparim Rama.

Kurti tha se Latifi ka ardhur nga SHBA-ja për të marrë detyrën e kreut të shëndetësisë, në këtë moment të vështirë kur e gjithë bota po përballet me pandeminë e koronavirusit. Gjatë karrierës së tij, ai ka punuar në universitete dhe qendra spitalore me emër nëpër Amerikë, si Texas, Filadelfia, Nju- Jork, Doha. Aktualisht, është profesor i kirurgjisë dhe president i Kolegjit të Kirurgëve Amerikan për shtetin e Arizonës.