Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim ka përforcuar deklaratat e dhëna mesditën e së mërkurës më Elbasan. Në mbrëmje në disa statuse në Twitter, Kim ka rishpërndarë deklaratën e saj të plotë që dha nga Elbasani dhe ka zgjedhur të theksojë vetëm një pjesë të saj ku flet për peronat e shpallur non ngrata ngaj SHBA. Kim thotë se kjo nuk ka të bëjë me faktin nëse Shtetet e Bashkuara pëlqejnë apo nuk pëlqejnë dikë, por u kërkon shqiptarëve të mendojnë mirë, sepse një person që është kërcënim për sigurinë e SHBA, është edhe për sigurinë e tyre.

“Disa mund të thonë se “po, është përcaktuar nga SHBA por nuk është dënuar.” Mendoj se shumica e njerëzve me logjikë do të thonin se kjo nuk është provë pafajësie, por është provë e nevojës për reformën në drejtësi. Kjo nuk ka të bëjë me nëse Shtetet e Bashkuara pëlqejnë apo nuk pëlqejnë dikë, por ka të bëjë me nëse Sekretari i Shtetit ka vendosur, pas kërkimit, informacionit, dhe kohës të bollshme që dikush përbën kërcënim për sigurinë e SHBA. Dhe nëse dikush është kërcënim për sigurinë e SHBA, mendoj se është e vlefshme që votuesit shqiptarë dhe autoritetet shqiptare të shqyrtojnë nëse ky person mund të jetë një kërcënim edhe për sigurinë tuaj,”– shkruan Kim në Twitter.