Dy kohë të rregullta dhe… dy shtesë. Rikuperimi në Angli-Iran, 14+10, që më pas u bë 13 për shkak të penalltisë me VAR në minutën e 124, hyri në histori. Jo vetëm të Botërorit, por edhe në përgjithësi të futbollit. Protagonist absolut ishte arbitri brazilian Claus, i detyruar në një zgjatje të paprecedentë të pjesës së pare. Shkak u bë dëmtimi i rëndë i portierit iranian Beiranvand. E, në pjesën e dytë, i shtoi edhe 10 minuta të tjera lojës, mes zëvendësimeve dhe (pak) ndërprerjeve të lojës.

Kuriozitetet e ndeshjes Angli-Iran nuk mbarojnë këtu. Irani në fakt ka përdorur gjashtë zëvendësime. Ky numër lejohet nga rregullorja kur një lojtar ka një “traumë në kokë” të konfirmuar nga mjekët dhe me video pas një dëmtimi. Në rastin konkret, siç u përmend, ishte goditja e rëndë që e detyroi Beiranvand të largohej nga fusha pas 20′. Megjithatë, rekordi për portierin e zëvendësuar më shpejt në një Botëror, i përket argjentinasit Pumpido. Ai doli nga fusha pas 11′ në Argjentinë-BRSS në Itali ’90.

 

Nga ana tjetër, është për rekord goli i shënuar nga Jude Bellingham, lojtari i parë i lindur pas vitit 2000 që shënon në një Botëror. Nuk ka të njëjtin sukses Rashford, që shënoi 26 sekonda pasi hyri në fushë. Anglezi duhet të kënaqet me vendin e dytë pas danezit Ebbe Sand që shënoi pas 16″ në Danimarkë-Nigeri 4-1 (1998).