itol

Personi i përfolur nga deputeti Tom Doshi si marrësi i porosisë për eliminimin e tij dhe të deputetit Mhill Fufi është arrestuar. Ai u kap teksa po tentonte të kalonte në Mal të Zi, nga pika e kalimit kufitar të Hanit të Hosit. Ai është Durim Bani, i cili i shpëtoi rreth një javë më parë një atentati me tritol. Policia e akuzon si autorin e shpërthimit të mbrëmshëm të tritolit në Fushë – Krujë ndaj automjetit të biznesmenit Edmond Kadiu. Por dyshimet mbi të se është personi që ishte kontaktuar për eliminimin e dy deputetëve lindën dje pasi Tom Doshi tha se ai që do të kryente vrasjen ishte tentuar të vritej me eksploziv pak ditë më parë. Më 22 shkurt, Durim Banit iu vunë 400 gram tritol në makinën e tij BMV X 5 në lagjen Grumbullimi të Fushë Krujës, para shtëpisë së tij. Ai kishte parë dy tela poshtë gomës së parë të makinës dhe kishte njoftuar policinë. Mina u caktivizua nga njësia anti –eksploziv e mbërritur nga Tirana. (foto e mësipërme nga momenti i çaktivizimit të tritolit). I dyshuari po pyetet nga shefi i Krimeve të Rënda, Ilirian Balla. Ai është shoqëruar në polici rreth orës 11.