ambasadori-amerikan-Donald-Luu-e1421163630216
Nisin të dalin emrat e parë “e të padëshiruarve” që selitë diplomatike u kanë kërkuar partive politikë të mos i kandidojnë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Lapsi.al mësoi se në një takim që ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu ka zhvilluar pak ditë më parë me deputetin Taulant Balla ka folur hapur madje ka përmendur edhe disa emra kandidatesh që sipas informacioneve të amerikanëve kanë të shkuar me rekorde kriminale. Të njëjtat burime i thanë lapsi.al se një prej emrave që ambasadori Lu ka përmendur është kandidati i së majtës për bashkinë e Kavajës Elvis Roshi. Ky është dhe një prej kandidatëve të përmendur nga Partia Demokratike për të shkuar të dyshimtë.kavaje-elvis-roshi
Kujtojmë që Balla, përveçse është nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Dekriminalizmin është edhe personi i caktuar nga kryeministri Rama për t’u angazhuar për këtë çështje. Balla i dërgoi edhe një kërkesë prokurorisë së përgjithshme ku kërkonte informacion për 57 kandidatë të PD-së.

Për t’iu rikthyer takimit, burimet thanë se ambasadori amerikan ka përmendur edhe emra të tjerë ndërsa ka marrë garanci se pretendimet e tij do të shqyrtohen. Megjithëse kanë kaluar disa ditë nuk ka pasur asnjë lëvizje nga Partia Socialiste për kërkesën e diplomatit Lu.

Në 7 prill, ambasadori amerikan tha publikisht se në listat e partive politike ishin gjetur persona me rekorde kriminale dhe se për këtë çështje po diskutohej me partitë politike. Edhe ambasadorja e BE, Romana Vlahutin tha në një intervistë televizive se zyra e saj do të priste deri në datën 13 maj dhe më pas do “të fliste hapur”. Partitë politike duket se nuk kanë bërë ndonjë lëvizje të fortë për të hequr nga listat, kandidatët me rekorde kriminale në të shkuarën. Tashmë sytë janë te selitë diplomatike nëse do të thonë publikisht emrat që nuk duhet të merrnin besimin e kryetarëve për t’u futur në garën elektorale.