“I ndryshova mënyrën e lojës dhe vendosjen Vllaznisë dhe i krijova një farë dëshire. I pashë lojtarët pak poshtë. Zgjidhjet nuk ishin ato që unë kërkoja në raste të veçanta. Duhet kohë që të sistemosh një model loje të tillë. Impenjimi ishte kryesore, ia dedikoj fitoret gjithë hallkave të klubit”. Mirel Josa është njeriu më i lumtur, pas fitores 2-1 në shtesë në finalen e Kupës kundër Laçit. Pikërisht atij Laci që pak muaj më parë e shkarkoi nga pankina e që nga ai moment ndezi dëshirën e revanshit tek tekniku: “Nga momenti që u shkarkova nga Laçi, me gjysmën e këmbës në finale të Kupës, vetes ia kisha vënë se s’bën objektiv fitoren”.

Josa konfirmohet kështu si trajneri më i titulluar në Superiore, gjë që natyrisht e bën krenar teknikun: “Kam qenë edhe para kësaj Kupës më i titulluari. Unë më tepër e kam luftën me idetë e mija. Shumë njerëz kanë qenë skeptik. Kur plotëson klubi objektivat edhe unë i kam plotësuar të mijat. Është e rëndësishme që klubi të ketë shtesë ekonomike për të vijuar vitin që vjen. Kemi marrë pushim edhe më të madh, skuadra luan direkt në turin e dytë. E kam mendjen se çfarë do të bëhet me skuadrën – tha tekniku duke rrëfyer edhe prapaskenën e bisedimeve që e cuan në Shkdoër -. Mënyra si Xhaferi diskutoi me mua, ishte shumë e sinqertë. Fjala e parë që më tha ishte se nuk të kërkoj për këto 3 ndeshje por për vazhdimësinë. Djemtë në dhomat e zhveshjes më shikojnë në sy, kjo është e rëndësishme për mua”.