Kaltri

Këngëtarja e cila u bë e njohur në publik përmes shumë hiteve, Kaltrina Selimi, bëhet e ditur se tashmë është duke pushuar për shkak të shtatzënisë. Këtë e ka thënë vëllai i saj Kushtrimi, i cili njëherësh është edhe menaxher i saj. Ndër të tjera Kushtrimi ka treguar se motra e tij pas përfundimit të shtatzënisë do t’i kthehet muzikës aty ku e ka lënë…

Dëshira për këngën i është paraqitur qysh si fëmijë dhe duke u rritur ka filluar që kënga për të, të mos mbetet vetëm një ëndërr fëmijërore. Që me debutimin e parë në skenën muzikore shqipe është veçuar për stilin e saj unik e sidomos për vokalin që e posedon. Pas shkëputjes nga grupi ‘Hana Bend, këngëtarja Kaltrina Selimi ka vazhduar si soliste duke sjellë kështu shumë këngë të cilat i kanë dhënë vlerë muzikës së mirëfilltë shqiptare.

Kaltrina viteve të kaluara ishte e pranishme pothuajse në çdo emision të botës së shoubizit, duke promovuar kështu shumë projekte të saj muzikore, të cilat vazhdojnë të jenë te këngët më të bukura në repertorin e skenës muzikore shqipe. Por, pas martesës ajo nuk ka qenë shumë e pranishme në media pasi që jetesa mes Londrës dhe Prishtinës ka bërë që këngëtares t’i shtohen më shumë obligime.

Jeta e saj familjare po shkon në nivelin e duhur, madje familja e saj shumë shpejt do të rritet. Së paku kështu ka treguar vëllai i saj i cili në një bisedë për gazetën Tribuna ka treguar se Kaltrina për momentin gjendet në Londër dhe është duke u kujdesur maksimalisht për shëndetin e saj dhe të fëmijës. “Kaltrina për momentin është në Londër, ajo është duke u kujdesur atje për veten dhe për mbarëvajtjen e shtatzënisë së saj”, ka thënë vëllai i saj Kushtrimi, i cili njëherësh është edhe menaxheri i këngëtares.
Kaltrina nuk ka qenë e pranishme nëpër mbrëmje muzikore
Kushtrimi po ashtu ka zbuluar se shtatzënia e motrës së tij ka bërë që Kaltrina në këtë sezon veror të mos jetë e pranishme në asnjë mbrëmje muzikore, duke dashur kështu të jetë më e kujdesshme. “Jo, Kaltrina në këtë verë për dallim nga vitet e kaluara nuk ka qenë aktive në asnjë koncert për shkak se tashmë dihet që është shtatzënë dhe nuk ka dashur që ta lodhë vetën për asnjë moment”, tregon Kushtrimi tutje.

Por edhe pse Kaltrina nuk ka pranuar asnjë ftesë për të qenë pjesë e mbrëmjeve muzikore, ajo ndonëse shtatzënë, këtë sezon erdh me një këngë të re. Kënga ‘Të du’ që është lansuar në qershor të këtij viti, ka arritur që të pëlqehet shumë nga simpatizuesit e këngëtares Selimi, madje kjo këngë ka arritur deri në 200 mijë klikime.

Ndër të tjera, vëllai i Kaltrinës ka pohuar që derisa ajo të lindë, nuk do të realizojë asnjë projekt muzikor, qoftë solo apo duet. Ai gjithashtu ka treguar se këngëtarja nuk ka plan që të realizojë ndonjë album, duke i dhënë vetes pushim komplet derisa fëmija i saj i parë të dalë në jetë. “Derisa ta lindë fëmijën nuk do të punojë në asnjë këngë apo album, kurse pas lindjes ajo do t’i rikthehet muzikës aty ku e ka lënë, ku do të sjellë shumë këngë për simpatizuesit e saj”, ka thënë në fund të bisedës Kushtrimi./