Fatbardh Kadilli këtë të hënë ka zhvilluar një konferencë për mediat, pas rezultatit të zgjedhjeve të brendshme për kryetar të PD-së. Para kamerave, Kadilli ka pranuar humbjen, ndrësa i cilësoi zgjedhjet e 13 qershorit më keq se ato parlamentare.

Më tej ai shtoi se nuk do të heqë dorë nga projekti i tij me të cilin synon ringritjen e Partisë Demokratike.  Kadilli po ashtu, tha se nuk ka për t’u larguar nga partia dhe se Lulzim Basha e ka gjetur atë në PD dhe do e lejë aty.

“Nuk jam këtu për të përligjur rezultatin tim apo për të shprehur keqardhje për fitoren e Lulit.

Kishte pabarazi në këtë garë. Kishte një kryetar që nuk lëshoi zyrë. Deputetë dhe kryetar degësh që nuk mbajtën distancën për të mos ndërhyrë në proces. Unë nuk jam Luli, unë e pranoj këtë rezultat.

Ato qindra vota që mbështetën projektin tim janë fitili që ndezi një lëvizje të re. Unë nuk iki, nuk dorëzohem nuk krijoj parti të re por do të vazhdoj të shpalos me këmbëngulje këtë projekt në ringritje sepse vetëm kështu opozita bëhet e vërtetë”, tha Kadilli.