Kryeministri Edi Rama, këtë të premte ndodhet në qytein e Beratit, ku po zhvillon një bashkëbisedim me qytetarët. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë foli për procesin e vaksinimit dhe vështirësive për të hasura për furnizimin me dozat e nevojshme.

Po ashtu Rama theksoi se 70% e prodhimit të vaksinave është në duart e 10 shteteve, ndërkohë që sipas tij, vendi ynë ia ka dalë të nisë vaksinimin ndërkohë që shumë shtete nuk kanë bërë gjilpërën e parë.

“Çështja e vaksinës është kthyer në një çështje botërore. Të gjitha shtetet kanë nevojë për vaksina. 70% e prodhimit të vaksinave është në duart e 10 shteteve. Dhe ku Shqipëria, si një vend i vogël, si një vend në një rajon në mes të Europës, por që nuk u përfshi në skemën europiane të shpërndarjes së vaksinave, ka një sfidë të madhe. Falë këmbënguljes ne ja kemi dalë të nisim vaksinimin ndërkohë që shumë shtete nuk kanë bërë gjilpërën e parë. Brenda gjysmës së parë të muajit mars do mbyllim vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve. Jam besimplotë se së shpejti do kemi lajme të mira për sigurimin e sasive të nevojshme për të mos ulur ritmin, por për ta intensifikuar atë dhe për ta kthyer të gjithë këtë sezon pranveror në një sezon vaksinimi masiv”, tha kryeministri.