Pasi mbylli raundin e parë me numrin më të keq të golave të shënuar në dekadën e fundit (27), Juventus vazhdon kërkimin e një sulmuesi për t’ia dhënë Allegrit gjatë merkatos së janarit dhe, sipas La Gazzetta dello Sport, klubi ka bërë zgjedhjen për Gianluca Scamacca, tashmë i vëzhguar nga bardhezinjtë në verë, si përforcimi i duhur për të mos i munguar më Cristiano Ronaldo dhe golat e tij.

Kjo është arsyeja pse përgjegjësi i zonës sportive të Juventus, Cherubini, ka bërë tashmë lëvizjen e parë duke kontaktuar CEO-n e Sassuolos, Carnevali. Për sulmuesin, në Torino nisin nga një vlerësim fillestar 30-35 milionë, me një kontratë për Scamaccan me vlerë 1.5 milionë euro në sezon. Situata buxhetore e klubit bardhezi kërkon një formulë të “pagesës së shtyrë”, siç është ajo për shembull (jo pa vështirësi) që u përdor për Manuel Locatellin. Sassuolo e vlerëson sulmuesin e saj 40 milionë e, duke qenë se sapo ka shitur Boga te Atalanta (shitja më e shtrenjtë e klubit), nuk ka nevoja financiare që ta detyrojnë. Për më tepër klubi jeshilzi ka gjithë interesin për të mbajtur lojtarin deri në verën e ardhshme për të nisur më pas një ankand me përfshirjen edhe të Inter, Milan e të skuadrave angleze.

Kjo është arsyeja pse Juventus vazhdon të shikojë përreth në kërkim të mundësisë së duhur, e cila mund të vijë nga Anglia, ku Lacazette vazhdon të refuzojë rinovimin me Arsenalin (dhe ku Aubameyang është përjashtuar nga skuadra dhe do t’i thotë lamtumirë në janar, por për Juventus ka një pengesë për t’u regjistruar). Sulmuesi francez është në skadencë me Gunners dhe në moshën 30 vjecare do të donte një sfidë të fundit të madhe për karrierën e tij: ndërmjetësit e tij ia kanë propozuar bardhezinjve, të cilët po bëjnë të gjitha vlerësimet e nevojshme.

Në prapavijë mbeten të nxehtë edhe emrat e Milik, i cili nuk gjen hapësira në Marsejë dhe e njeh mirë kampionatin italian dhe mbi të gjitha të Mauro Icardit, për të cilin megjithatë PSG nuk është i hapur për huazime tani për tani. Duket e pamundur për momentin të arrihet te Dushan Vlahovic.