Mbërriti në Torino për t’i dorëzuar Juventus Champions, atë trofe kaq të lakmuar. Me shumë mundësi do të largohet, sepse është shumë e vështirë të imagjinohet viti i tij i katërt tek bardhezinjtë, pas tre eliminimeve të rënda, zhgënjyese, katastrofike: në çerekfinale kundër të rinjve të Ajax herën e parë dhe dy herë në 1/8, kundër Lyon modest vitin e kaluar dhe Portos po aq modest sot. Ndoshta fushata evropiane e Cristiano Ronaldos me fanellën e Juves do të mbahet mend pothuajse vetëm natën e tregolëshit kundër Atletico Madrid: shumë pak për atë që u thirr në cështje për të rikthyer Kupën në Torino, padyshim shumë pak për atë që në emër të kësaj ëndrre percepton 31 milion euro në vit, një barrë financiare që sigurisht ka frenuar ristrukturimin e ekipit në sezonet e fundit dhe që tani, në kohë pandemie, nuk ëhstë më e përballueshme.

Mbetet tani ndjekja e një titulli të kompriomentuar dhe një finale e Coppa Italia për t’u nderuar, dy objektiva që mund t’i japin një kuptim tjetër një sezoni ndryshe të dështuar. Por nëse është e vërtetë që cikli Pirlo sapo ka filluar dhe do të vazhdojë (tha vetë trajneri i Juventusit, duke raportuar fjalët e Presidentit Agnelli), enigma e Ronaldos së shpejti do të zgjidhet. Juventus, ky Juventus, është në fund të ciklit të tij: duhet të rifillojë nga disa siguri absolute si Chiesa, De Ligt, Morata, Kulusevski, Arthur dhe McKennie, duhet të qartësohet roli i disa senatorëve tani në rrugën e perëndimit dhe lojtarë që erdhën me parametër zero si Rabiot dhe Ramsey të cilët sigurisht nuk dhanë atë që shpresohej, por mbi të gjitha, nëse vërtetë do të bëhet Juve e Pirlos, duhet të gjejë burimet për të investuar në perspektiva të reja që i përgjigjen ideve të trajnerit të Juventusit. E jo e fundit, të kuptohet se si mund të dilet nga impakti i Ronaldos, duke marrë parasysh moshën dhe “koston” e portugezit.