Diferencat mes dy skuadrave ishin maksimizuar në mendjen e të gjithëve, por ato në fushë u minimizuan nga një Vllazni që luajti me armët e saj, ato armë që Mirel Josa ia kishte vënë në evidencë: rregull e disiplinë taktike. Kuqeblutë, të veshur edhe me petkun e euforisë së tifozerisë në Loro Boriçi, luajtën pastaj si të barabartë me Universitatean e Kraiovës, vërtetë duke vuajtur hera herës, por edhe duke e vënë në vështirësi për të prodhuar në fund një barazim plot shpresë, jo për faktin se nuk u mundën, por sepse kuptuan që ndoshta gjërat nuk mund të jenë aq të vendosura sa dukeshin përpara ndeshjes.

Rumunët janë favoritë vërtetë, por avantazhin e morën vetëm nga një neglizhencë e Juric dhe zemërgjerësi e arbitrit. Sigurisht, mes golit të anulluar e pritjeve të Zogovic, asnjëra vecanërisht për tu konsideruar mrekulli, gjëra për tu korigjuar në formacionin shkodran mund të ketë, por Josa është ekspert në të sistemuar ekipin, mjaftonte të shihje rregullsinë me të cilën mbrohej, pa e ulur pikën e qendrës dhe pa lejuar veten të përfshihej nga paniku, edhe në momentet më delikate. Boshnjaku ishte një zbulim i vërtetë i bukur për tu parë e efektiv brenda kuadratit të gjelbër: numri i rikuperimeve të mesfushorit të ardhur nga Prishtina ishte impresionues, ashtu si kilometrat e përshkruara në 90 minuta.

Tekniku tani e ka të qartë se, për nga ofensiva Marku e Hoxhaj ishin shumë më impulsivë se Heric e Kruja e nuk është vetëm rasti i golit që e evidentoi, por ai rast shërbeu për të dëshmuar se Universitatea ishte një skuadër e cënueshme, e që nëse e kap në shpejtësi mund t’i bësh keq, sidomos nëse kihet parasysh se në transfertë, për mënyrën si do të luhet, për sulmuesit kuqeblu mund të ketë autostrada përpara…