Në Katar, dihet, homoseksualiteti konsiderohet një krim. Vendi organizator e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë ekzibicione të komunitetit LGBTQ+. Madje ka paralajmëruar masa ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e Katarit. Por problemi mund t’i vijë nga Manuel Neuer, kapiteni i Gjermanisë. Portieri është i bindur se do të mbajë shiritin e kapiteni me ngjyrat e ylberit “One love” në Kupën e Botës, për të promovuar diversitetin. I pyetur për këtë, portieri i Gjermanisë u përgjigj “po”, gjatë konferencës për shtyp: “Do të mbaj shiritin shumëngjyrësh të kapitenit të Gjermanisë, ashtu si edhe skuadrat e tjera europiane – tha Neuer -. Ne kemi mbështetjen e drejtuesve të federatës dhe nuk kemi frikë nga pasojat e mundshme”.

 

Shiriti ‘One Love’ është kthyer në një debat të ashpër në vigjilje të Botërorit. Ish-futbollisti i Katarit dhe ambasadori aktual i turneut Khalid Salman tha se nuk donte që fëmijët të shihnin homoseksualë në Kupën e Botës. Ai e quajti homoseksualitetin “problem psikologjik.” Kapitenët e disa përfaqësueseve, ndërkohë, janë zotuar të mbajnë shiritin në krahë. E ndër inisiatorët e kësaj nisme janë Gjermania, Anglia, Belgjika dhe Danimarka.