Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, në datën 9 dhjetor. Ambasada Amerikane në Tiranë njofton se Escobar do të takohet me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë. Ambasada shton se ky takim do të shërbejë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.
“Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, lexohet në postimin e Ambasadës Amerikane në rrjetet sociale.