Raundi i 1/8 i Kupës së Botës Katar 2022 po përgatitet në mënyrë gjithnjë e më të paparashikueshme. Emra të mëdhenj si Gjermania, Belgjika dhe Danimarka dalin jashtë. Ndërsa Japonia, Maroku dhe Australia shkojnë përpara. Bie në sy edhe kualifikimi i Polonisë në dëm të Meksikës dhe ai i Shteteve të Bashkuara në vend të Uellsit. Pothuajse çdo grup tregoi një histori surprizë. E Uruguai dhe Serbia janë ende në rrezik të madh. Pasojat e Botërorit të parë dimëror në histori?

E fundit, të paktën në rend kronologjik, është ajo e Japonisë, e cila gjithashtu ka vlerë të dyfishtë. Aziatikët jo vetëm arritën të kalojnë në një grup që llogariste Spanjën dhe Gjermaninë. Eliminuan gjermanët dhe mundën e i morën vendin e parë Spanjës në grupin E. Rezultat i një organizimi taktik deri maniakal të japonezëve. Skuadra e Moriyasu nuk tregoi gjëra të shkëlqyera në aspektin e lojës, por qendroi gjithnjë në lojë me përkushtim. Ata shfrytëzuan në maksimum rastet ofensive edhe duke qëndruar shumë të tërhequr. Ka nga ata që mendojnë se skuadra e Luis Enrique, pasi mësoi se Kosta Rika nuk mund t’i parakalonte më në renditje, uli ritmin. Pastaj edhe komoditeti i vendit të dytë për të shmangur Kroacinë në fazën e 1/8, por përballja me Marokun sigurisht që nuk do të jetë një shëtitje në park.

SURPRIZAT E MËDHA TË KATARIT

E pikërisht ndeshja mes kombëtares së Regragui dhe Spanjës premton të jetë një nga më të bukurat e fazës së ardhshme të Katar 2022. Afrikano-veriorëve thuajse asnjëherë nuk u mungonte talenti, më shumë është cështje e disiplinës taktike dhe kohezionit në grup. Elementë që trajneri 47-vjeçar ka mundur t’i përziejë mirë deri tani. Natyrisht edhe i ndihmuar nga frymëzimi i Ziyech, Hakimi dhe Mazraoui. Maroku e përfundoi grupin në vendin e parë, duke lënë pas Kroacinë, me Belgjikën të eliminuar. E pastaj padyshim Australia, më pak e kuotuara e grupit. Ata arritën të përsërisin rezultatin historik të vitit 2006 kur u eliminuan në 1/8 me një penallti në minutën e 95 nga Italia. Të kesh mbajtur Danimarkën pas nuk është një çështje e parëndësishme. E tani do të sfidojnë Argjentinën e Messit në fushë.

 

Vlen të përmendet edhe Polonia, e cila ndonëse pa frymë, shpengon vendin e fundit në fazën e grupeve të Rusisë 2018. Polakët lanë Meksikën në shtëpi, e cila përkundrazi arriti në 1/18 katër vjet më parë. Më në fund, Shtetet e Bashkuara të cilat rikuperojnë dështimin për t’u kualifikuar në Rusi dhe tani duan ato çerekfinale që mungojnë që nga viti 2002.