Ushqyerja ishte një fushë ku Antonio Conte u fokusua shumë gjatë javës së parë të mandatit të tij te Tottenham. Trajneri i ri ka kërkuar që skuadra të drekojnë së bashku në mesditë dhe ka hequr nga menyja e mensës ushqimet e rënda, panine, ketchup dhe majonezë. Është ulur gjithashtu sasia e lëngut të frutave dhe sasia e vajit dhe gjalpit të përdorur në gatim. Ish-tekniku i Inter i ka kërkuar të tijve edhe të konsumojnë më shumë fruta.

Tekniku nga Salento nuk ka humbur kohë dhe ka filluar menjëherë të bëjë presion mbi lojtarët e tij të rinj, me qëllim që të rrënjosë sa më shpejt filozofinë e tij të lojës. Asgjë nuk i lihet rastit, duke filluar nga ushqimi, duke qenë se i ka thënë në fytyrë disa futbollistëve se janë mbipeshë.

Një punë e palodhshme në fushë, por edhe video analizë rraskapitëse, siç është seanca 75-minutëshe e planifikuar fillimisht të ishte 20, pas debutimit kundër Vitesses. Lojtarët që nuk janë të përfshirë me ekipet kombëtare këtë javë do t’i nënshtrohen seancave të dyfishta rraskapitëse në terrenin stërvitor, në përgatitje për ndeshjen me Leeds kur të rifillojë Premier League.