Shërbimi rus i kontrollit të komunikimit, ka kufizuar aksesin në disa faqe lajmesh, duke përfshirë Meduza, Radio Liberty dhe BBC dhe Deutsche Welle, sipas grupit vëzhgues, GlobalCheck. Është raportuar edhe për bllokim të platformave, Facebook, Twitter, dhe dyqaneve online të Apple dhe Google. Ky hap është marrë në orët e para të 4 marsit dhe vjen pas disa kërcënimeve ndaj Radios Evropa e Lirë dhe mediave tjera për mbulimin e luftës në Ukrainë.

Faqja e Current Time, televizionit në gjuhën ruse – projekt i Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës – është bllokuar nga autoritetet ruse nga 28 shkurti, ndonëse shërbimi ka gjetur mundësi për të shmangur bllokadën.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit. Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Putin, ka thënë të enjten, 3 mars, se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë është duke shkuar sipas planit dhe i ka konsideruar ushtarët rusë si heronj./REL