sollak
Afera e mbledhes së borxheve të CEZ mund të hetohet nga ndërkombëtarët vetëm nëse ndryshohet Kushtetuta. Kështu thotë ish-kryeprokurori, Theodhori Sollaku. Sipas tij në Kushtetutën tonë nuk parashikohet që të huajt të hetojnë çështje të caktuara në Shqipëri.

“Nëse ligjvënësi do të ndryshojë kuadrin ligjor për të lejuar hetimin ndërkombëtar të ndonjë çështje, së pari duhet të ndryshojë Kushtetutën, e cila përcakton se ndjekja penale bëhet nga Prokuroria, me prokurorë shqiptarë. Kuadri kushtetues i Shqipërisë për hetimet penale nuk lejon veprimet hetimore nga persona jashtë subjekteve që parashikon Kushtetuta dhe ligji procedurial penal, që do të thotë, nga prokurorë shqiptarë dhe nga oficerët e policisë gjyqësore”, tha Sollaku i pyetur nga Panorama.

Kushtetuta e përcakton Shqipërinë si vend sovran, ndërsa ligji për organin e akuzës specifikon se prokurori duhet të jetë vetëm shtetas shqiptar.