1DC18A13-61F7-4848-BE52-9D4FA1992F90_cx0_cy12_cw0_mw1024_s_n_r1
Kur kanë mbetur edhe 3 muaj nga mbyllja e vitit fiskal qeveria shqiptare ka realizuar vetëm gjysmën e fondit vjetor të investimeve publike, prej 63 miliardë lekësh. Veç gropës që po shkakton në buxhet mosrealizimi i të ardhurave doganore e tatimore, alokimin i fondeve të programuara për investime është një tjetër rrezik me të cilin po përballet ekonomia jonë.

Investimet janë i vetmi mjet publik që ndikon direkt në rritjen ekonomike. Për 9 muaj qeveria ka realizuar vetëm 32.9 miliardë lekë investime. Planifikimi ishte për 38.3 miliardë lekë, sipas pplanit të rishikuar. Edhe me rishikimin që iu bë planit të investimeve, mosrealizimi është në masën 14 %.

Qeveria e rishikoi me ulje fondin e investimeve gjatë rishikimit të buxhetit të vitit 2015. Ajo e zbriti fondin nga 67 miliardë lekë në 63 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 7 %.

Burime zyrtare të Ministrisë së Financave i thanë revistës Monitor se mosrealizimi i investimeve ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesor ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve.

Investimet publike nuk janë i vetmi sektor ku ka mosrealizim të programeve.

Në tatime e dogana të ardhurat janë në rënie gjatë gjithë këtij viti.

Edhe me rishikimin e planit, të ardhurat totale të buxhetit për periudhën janar-shtator 2015, sipas Ministrisë së Financave, arritën në 279 miliardë lekë, nga 285.9 miliardë lekë të parashikuar për periudhën.

Të ardhurat tatimore janë -3.8 miliardë lekë më pak se parashikimi, ndërsa ato jo-tatimore janë rreth -1.5 miliardë lekë nën parashikimin.

Peshën kryesore të mosrealizimit të të ardhurave tatimore e mbartin të Ardhurat nga Tatimet dhe Doganat, më shumën prej -4.2 miliardë lekë, minusi i ardhur nga mosrealizimi i planit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave prej -3.5 miliardë lekë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka një mosrealizim të planit për periudhën prej –0.6 miliardë lekë.

6.9 miliardë lekë është gropa në tatime vetëm për muajin shtator.

Në dogana, akciza ka mosrealizim të planit prej rreth -3.3%. Të ardhurat janë realizuar në masën 96.7 %, thënë më thjesht doganës i mungojnë 900 milionë lekë.

Edhe të ardhurat nga TVSH kanë pësuar rënie, kryesisht nga rënia e importeve.