Një grup intelektualësh nga Mali i Zi, Adnan Çirgiq, Aleksandar Radoman dhe Boban Batriqeviq, nga Fakulteti i gjuhës malazeze dhe shkrimtari e publicisti i njohur Andrej Nikolaidis,  kanë firmosur një letër të hapur në të cilën kërkojnë angazhimin më të vendosur të Perendimit në Ballkanin Perendimor. Sikurse transmeton kdpolitik.com, ata çmojnë se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, me pozicionimin aktual, “për çështjen e këtij rajoni  me ose pa vetëdije ndihmojnë politikën ruse”.

Kjo është letra e tyre e hapur:

“Është koha e fundit për të folur hapur për statusin e Ballkanit Perëndimor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për çështjen e këtij rajoni me ose pa vetëdije e ndihmojnë politikën ruse. Pse e bëjnë këtë është e vështirë të thuhet. Por nëse si ilustrim për gjendjen në Ballkanin Perëndimor do të merrnim deklaratat e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borelj, për çështjen e Kosovës, atëherë mund të përfundohet se Perëndimi po ia mbanë dorën Aleksandar Vuçiqit. Pse e bëjnë këtë – nuk e dimë.

Nëse fjala është për një bindje naive se Serbia do të shkëputet nga Rusia, kjo kurrë s’ka për të ndodhur. Kushdo që e njeh kulturën politike serbe dhe skenën politike serbe, e di se kthesa e Vuçiqit do të nënkuptonte edhe fundin e tij. Ndërsa Aleksandar Vuçiq intimisht dhe nga pikëpamja e vlerave është më afër një Lukashenkoje sesa cilitdo burrë shteti perëndimor.

Këtë politikë të çuditshme të SHBA-së dhe BE-së në këtë rajon po e shfrytëzojnë shkëlqyeshëm Rusia dhe Kina përmes Serbisë. Kjo e fundit po sillet si një hegjemon lokal që frenon dhe ngrin integrimet së pari të veta. E më pas të qytetarëve të Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Kosovës. Kjo është një “politikë klasike e lëshimit pe”, pasojat e së cilës në rrafshin global sot po i paguajnë ukrainasit.

Kjo politikë nuk është nga dje. Ajo u operacionalizua me epokën e Trumpit dhe Merkelit dhe tani po përjeton klimaksin e vet. Mali i Zi ra në vitin 2020. Bosnja ra kohë më parë (përmes dritanizimit të konstelacionit politik). Radhën e ka Kosova dhe pret Dritanin e saj. Çfarë po duket? Vuçiqi po vepron si “Lenini serb”, çdo lëvizje e tij politike është e ideologjizuar. Ai çmon se neutralizimi i të gjitha politikave të vendosura rajonale shtetformuese dhe i shtyllave ideologjike mbi të cilat mbështeten Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova si shtete është në fakt parakusht për mësymjen e ideologjisë së “Botës serbe”(BS).

Ideologjia e BS-së nuk po shfaqet me tanke si në kohën e Slobodan Milosheviqit. Ajo tani përmes iniciativave rajonale shkelë ekonominë, median dhe zhvillon një luftë speciale për të minuar parimet themelore. Përmes tyre tre shtetet e përmendura u shkëputën nga hegjemonia e Serbisë. Platforma është e qartë; nuk ka bashkëpunim të ngushtë me Beogradin, përderisa Beogradi të mos e njohë gjenocidin në Srebrenicë, ekzistimin e kombit malazez dhe shtetin e pavarur të Kosovës. Nëse kjo vazhdon, pas disa vitesh të gjitha politikat që vendosën Malin e Zi, BeH dhe Kosovën do të margjinalizohen plotësisht. Tehu i tyre do të bëhet i vakët. Do të vijë koha e populistëve, mashtruesve, kontrabandistëve dhe prijësve lokalë, të cilët do ta bëjnë Ballkanin Perëndimor një zorrë të trashë të politikës perëndimore dhe ruso-kineze, ku do të mbyllen punët e pista dhe kriminale.

Është e domosdoshme të veprohet, sa më shpejt, me plane afatgjata. Çështja malazeze, e Bosnje-Hercegovinës dhe e Kosovës duhet të ndëlidhen. Boshti Sarajevë-Podgoricë-Prishtinë duhet të ngjallet, elitat duhet të ndëlidhen dhe të fillojnë të veprojnë në rrafshin lobues, kulturor dhe operativ-politik. Perëndimin nuk duhet pritur më, sepse duket se ata vetëm shikojnë përmes numrave dhe fuqinë potenciale. Të vetëm të gjithë jemi të pafuqishëm, së bashku jemi shumë më të fortë. Ndërsa partnerë për ndëlidhje ka edhe në Beograd, këto janë ato pak forca qytetare dhe liberale të cilat Vuçiqi sipas yrneut të Putinit gati se i ka shtypur,” – thuhet në letrën e hapur të nënshkruar nga intelektualët Adnan Çirgiq, Aleksandar Radoman, Andrej Nikolaidis dhe Boban Batriqeviq.