Sulmuesi i kombëtares Rey Manaj, është prezantuar tashmë në klubin e tij të ri, Spezia. Në konferencën për shtyp, Manaj, i transferuar nga Barcelona, ka thënë se klubi italian që luan për mbijetsë ishte zgjedhje e tij: “Mund të qendroja te Barcelona por më pëlqente idea e kësaj sfide, shpresoj të jem i nevojshëm që ndeshjen e ardhshme”.

Këto janë fjalët e Rey Manaj, ndër blerjet e fundit në sesionin e merkatos nga klubi bardhezi. “Barça? Një nga skuadrat më të forta në botë ku mësova se sa më shumë rritet niveli aq më tepër lojtarët janë kokëulur: edhe ne të rinjtë duhet të jemi kështu”, tha lushnjari, që në fakt është 24 vjec.

Në lidhje me Spezian, Manaj konstatoi: “Pashë një skuadër që ka uri, Serie A është një kampionat i vështirë e për të arritur shpëtimin duhet të remojmë të gjithë në të njëjtin drejtim: objektivi është i vështirë, por ne mundemi ta arrijmë”.

Ka kohë edhe për temën kombëtare, ku mundësia për të shkuar në Botëror me Shqipërinë vazhdon të jetë joshëse: “Do të ishte hera e parë në histori, tekniku Reja ka eksperiencë të madhe e do të ishte një nga pikat më të larta në karrierën time të arrija në Botëror. Tani kemi dy ndeshje kundër Hungarisë e Polonisë, nëse fitojmë mund të shkojmë në playoff”, përfundoi Manaj.