Jack Grealish ka qenë protagonist i një rastësie fatkeqe që rrjetet sociale e kanë nxjerrë në dritë pas disfatës me Real Madrid. Anglezit i është dashur të fshinte një postim në Twitter të tetë viteve më parë në favor të Realit, që eliminoi skuadrën e tij dje, në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Pikërisht dje në mbrëmje është zbuluar online një postim i vjetër në të cilin Jack Grealish shprehte mbështetjen e tij për Real Madrid, në vitin 2014. Në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes Blancos dhe Citizens, zëvendësuesi i Manchester City mund të kishte qenë heroi i skuadrës së tij, pasi iu afrua një dygolshi në momentet e fundit të ndeshjes me një goditje të bllokuar nga Mendy në linjën e portës dhe më pas një tjetër të devijuar nga Courtois. Një gol i tij, në fakt, do të kishte mbyllur cështjen e kualifikimit, që në vend të kësaj u përmbys dhe u arkivua nga Madridi.

Anglezi arriti shpejt të pendohej për mundësitë e humbura. Golat në minutat e 90′ dhe të 91′ nga zëvendësuesi Rodrygo e ndihmuan skuadrën spanjolle të barazonte rezultatin e përgjithshëm, përpara se penalltia e Karim Benzema në kohën shtesë, t’i dorëzonte kalimin në finale madrilenëve. Grealish dhe shokët e tij mbetën të tronditur dhe nuk kaloi shumë kohë që keqardhja e tij të shtohej nga përdoruesit që gërmuan një postim të vjetër kompromentues në Twitter.

Bëhej fjalë për një postim në të cilin Jack shkruante, “Forca Madrid!!!”, të gjitha të shoqëruara me emoji-t e flamurit spanjoll. Data tregon se postimi është i tetë viteve më parë kur Grealish ishte vetëm një 18-vjeçar shumë premtues i Aston Villas, që thjesht po shijonte fitoren 1-0 të Madridit kundër Bayern Mynih në gjysmëfinalen e Champions League. Një rastësi e veçantë duke qenë se edhe në atë rast Ancelotti mposhti trajnerin e tij aktual Pep Guardiola me një gol të të zakonshmit Karim Benzema.

Duke vënë re kaosin që shpërtheu në rrjetet sociale, Grealish u pushtua nga ndjenjat e fajit dhe vendosi të fshinte menjëherë postimin, duke ndezur më tej debatin rreth kësaj çështjeje.