“Nuk mund të më shqetësonin më pak zërat për kalimin e Mane te Bayern Mynih” ishin fjalët e thëna në vigjilje të finales së Champions League nga tekniku i Liverpool, Jurgen Klopp. Vetëm se gjërat nuk paskan qenë aspak në kuadrin e zërave, apo thashethemeve të merkatos, të paktën sipas asaj që bën të ditur prestigjozja spanjolle AS.

E ardhmja e Sadio Mané do të jetë larg Liverpool. E kjo është ajo që kuptohet nga raportimi i edicionit online i AS, sipas të cilëve sulmuesi senegalez i ka komunikuar tashmë klubit qëllimin e tij për t’u larguar dhe gjithashtu ka përshëndetur tashmë edhe shokët e tij të skuadrës pas humbjes me Real Madrid në finale: “Dua të falënderoj tifozët dhe trajnerin për gjithçka, i uroj gjithë të mirat kësaj skuadre”, thuhet në citimin e fjalëve të senegalezit nga gazeta. Në të ardhmen e tij duhet të jetë Bayern Mynih, që është në kërkim të sulmuesve pas lamtumirës tashmë të sigurt të Robert Lewandowskit.