Liverpool shpenzoi 45 milionë funte për të në vitin 2020, por siç duket ia ka vlejtur çdo monedhë. Fjala është për sulmuesin, Diogo Jota, i cili po raportohet që do të shpërblehet me kontratë re nga klubi pas paraqitjeve të shkëlqyeshme, transmeton Gazeta Metro.


Ish-sulmuesi i Wolves ka qenë një blerje e shkëlqyer nga Jurgen Klopp dhe finalistët e Ligës së Kampionëve janë duke menduar opsionin për të vazhduar kontratën me të, me një marrëveshje të re dhe më shumë fitimprurëse.

 

Ai aktualisht është i lënduar dhe do të humbasë fillimin e sezonit të Premier League, ndërsa Liverpool do të përballet në javën e parë të kampionatit me Fulham.

 

 

Jota ka përmbushur pritshmëritë që nga ardhja e tij në ‘Anfield Road’ dhe tani vetëm mund të presë një rritje të konsiderueshme në pagën e tij, raporton The Telegraph.

 

25-vjeçari në dy sezonet e tij me ‘The Reds’ është paraqitur në 85 ndeshje në të gjitha garat. Ai ka shënuar 34 gola dhe ka asistuar nëntë herë.

Reprezentuesi portugez ka qenë edhe një ndër arsyet kryesore pse Jurgen Klopp është dashur ta lërë në bankën rezervë një ndër lojtarët e tij më të preferuar, Roberto Firmino.