“Jam krenar për atë që dhanë çunat, ishim gjithë kohën dominues, rastet i patëm. I tillë është futbolli, penalltitë janë çështje fati, të shohim përpara dhe ta harrojmë sa më parë këtë ndeshje. Mendoj se një do e humbte, ne ose Dinamo. U thashë edhe djemve që bëmë maksimumin, por këtu nuk është gjithmonë në dorën tonë, se është edhe çështje fati”. Orges Shehi del nga Kupa e Shqipërisë në llotarinë e penalltive dhe pasi ka rikuperuar dy golat e ndeshjes së parë është legjitime që ta quajë mungesë fati: “Të thuash çfarë mungoi, bëhet e vështirë. Mendoj se kemi bërë maksimumin, kemi pasur raste për të mbyllur ndeshjen, edhe në 2-0, edhe në kohën shtesë – analizoi tekniku. Çunat konsumuan shumë energji, është e rëndësishme të dalim para portë, të krijojmë raste, të jemi dominues dhe këtë e bëmë sot dhe pastaj mund të ketë gabime të vogla”.

Trajneri i Tiranës i kthehet edhe situatës mbi të cilën u ndërtua kjo ndeshje. Bardheblutë kishin humbur 2-0 ndeshjen e parë e megjithatë rikuperuan në kthim, duke shkuar madje edhe pranë kualifikimit, me dy shtylla të goditura: “Erdhëm në këtë ndeshje me disavantazh. Dinamo është ekip cilësor, është e vështirë përmbysja. Skuadra bëri shumë mirë, bëri maksimumin. Mendoj se skuadra bëri shumë mirë, por kjo nuk duhet të na influencojë. Përkundrazi, i kam thënë lojtarëve para ndeshjes që kjo duhet të jetë gjë e mirë për ne, se skuadra tregoi karakter, besoi deri në fund, e duhet të jetë për mirë e jo për keq. Kësaj ndeshje ia kemi bërë hyzmetin deri në fund” përfundoi Shehi.