Nga dita e sotme ka hyrë në fuqi marrëveshja e “roaming” mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Përdoruesit e celularëve do të komunikojnë nga këto shtete me të njëjtat tarifa që përdoren brenda secilit prej këtyre vendeve.

Marrëveshja u nënshkrua më 4 prill në Beograd, teksa fillimisht operatorët e telekomunikacionit do të kenë të drejtë të aplikojnë shtesa mbi këto tarifa. Sipas të dhënave të AKEP, tre operatorët celularë që operojnë në tregun vendas kanë dorëzuar tarifat që do të zbatojnë.

Qytetarët shqiptarë pritet të jenë ndër përfituesit më të mëdhenj nga kjo marrëveshje, për shkak të përdorimit më të lartë të “roaming” krahasuar me shtetasit e rajonit që vijnë në Shqipëri, por edhe për shkak të kostove të larta që tashmë kursejnë.

Në bazë të marrëveshjes, tarifat “roaming” me pakicë nuk duhet të jenë më të larta se 0.19 euro/minutë, 0.06 euro/SMS dhe 0.18 euro/MB. Kjo përkthehet në një kursim deri në 10 herë të qytetarëve shqiptarë.