balla police
Dy prej prodhimeve më të njohur në seri të Edi Ramës, Taulant Balla dhe Saimir Tahiri, janë shqetësuar sot nga ajo që ata e quajnë dhunë dhe shkatërrim të opozitës. Pothuajse në të njëjtën kohë dhe me të njëjtën përmbajtje, dy personazhet që imitojnë më së shumti kryeministrin, shprehën shqetësimin për “protestën e dhunshme të opozitës”.
Vetë Taulant Balla dha udhëzime se si duhet vepruar kundër protestuesve. “Dhuna dhe dhunuesit të fotografohen dhe të identifikohen të gjithë. Ligji të godasë me forcë. Policia dhe prokuroria të bëjnë detyrën në kushtet shkatërrimit të pronës publike”, thotë Taulanti. Po, po Taulanti, i njëjti individ që dy vjet e ca më parë, bllokonte rrogët e Shqipërisë, digjte goma e makina, urdhëronte goditjen e policisë së shtetit. Ndërsa Sajmir Tahiri, djaloshi i fondacionit “Qemal Stafa”, që sot drejton ata policë që dikur i sulmonte fizikisht, që kryente aksione guerrile në çdo protestë, sot shkruan: “Kjo sot është fytyra e të shkuarës! Shfaqje e shëmtuar e fytyrës së vërtetë të shkatërrimtarëve! E shkuara nuk mban dot peng Shqipërinë”. Këto fjalë i shkruan Sajmir Tahiri.
Do të mjaftonte një material i shkurtër i arkivës së afërt për të nxjerrë zbuluar hipokrizinë e çunave entuziastë apo krenaristë të Edi Ramës. Njerëzit kanë memorie dhe sigurisht i gjykojnë politikanët e deformuar të llojit të mësipërm.
Të dy këta individë, përfaqësues tipikë të një qeverie të zhytur në skandale, vjedhje dhe dështim, duan të largojnë vëmendjen nga thelbi i protestës. Dy xhama të thyer dhe pak bojë mbi kërpudhën e Ramës, nuk mund të mbulojnë revoltën dhe zemërimin qytetar. Njerëzit po dalin në rrugë për shkak të frymës antipopullore të qeverisë së paaftë të Sajmirit e Taulantit, për shkak të vjedhjeve, korrupsionit, mashtrimit dhe rrënimit ekonomik. Për këtë dy çunat llafazanë, duhen të thonë dy fjalë. Hipokrizia me dhunën dëshmon se janë në hall të madh. Duan t’i vinë në ndihmë shefit të tyre, por e diskretitojnë edhe më keq.