Kreu i AAK Ramush Haradinaj i përgjigjet presidentit serb Aleksandër Vuçiç pas replikave për Shqipërinë e Madhe.

“Krijimi i “Shqipërisë së Madhe” është kërcënim për Serbinë dhe BE-në”, u shpreh Vuçiç, i cili shtoi se Haradinaj është një njeri që po lutet të jetë kryeministri i ri i Kosovës dhe se, nëse ai e arrin atë me ndihmën e votave të Vetëvendosjes, mund të lindë një situatë shumë e pafavorshme në të cilën do të përpiqen për bashkimin me Shqipërinë.

Harandinaj iu përgjigj Vuçiçit duke thënë se për sa kohë plani për “Shqipërinë e Madhe” i duket i rrezikshëm Serbisë, atëherë është në rrugën e duhur. Ai ironizon se Vuçiç nuk duhet të bëhet nervoz për sa kohë Kosova po kërkon vetëm atë që i takon.

“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë!  Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon. Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB.

Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës. Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”, shkruan Haradinaj.