Christian Eriksen ka dalë tashmë nga spitali i Kopenhagenit, pas operacionit në zemër dhe është kthyer në shtëpi te familja e tij. Në një komunikatë zyrtare të Federatës daneze të futbollit është kërkuar të ruhet privatësia dhe qetësia e lojtarit gjatë kohës që do të kalojë me familjen e tij: “Christian Eriksen u operua me sukses dhe doli nga Rigshospitalet – shkruhet aty – Gjatë ditës ai gjithashtu vizitoi shokët e tij të ekipit kombëtar në Helsingør”.

Të njëjtën gjë ka kërkuar edhe gruaja e mesfushorit: “Ai është mirë. Tani jemi këtu e kemi nevojë vetëm për pak pushim e qetësi”, kështu është shprehur Sabrina, gruaja e Christian Eriksen për La Gazzetta dello Sport. Pak fjalë por me shumë kuptim që të bëjnë të kuptosh se, tani, e vetmja gjë që ka rëndësi për lojtarin e Danimarkës e të Interit është lumturia totale.

Christian, duke folur përmes kanaleve zyrtare të ekipit kombëtar ka dashur ti falenderojë të gjithë për mbështetjen dhe dashurinë e treguar, si dhe ti qetësojë për mbarëvajtjen e operacionit: “Faleminderit të gjithëve për mbështetjen e madhe, ishte e pabesueshme ta shihja dhe ta ndjeja. Operacioni shkoi mirë dhe unë po e marr veten mirë duke pasur parasysh rrethanat. Ishte fantastike të shihja djemtë përsëri pas ndeshjes së shkëlqyer që ata luajtën dje (e enjte kundër Belgjikës) Nuk ka nevojë të them se do të bëj tifo për ta të hënën kundër Rusisë”.