Ministria e Bujqësisë ka dalë në një raportim të radhës mbi gripin e shpendëve në vendin tonë. Zëvendës ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci ka thënë se nuk është evidentuar asnjë vatër e re e infektuar në Shqipëri. Gjeci shtoi se vijojnë kontrollet në terren, ndërsa theksoi se gripi nuk është i dëmshëm për konsumatorët.

 

“Mbi situatën e gripit të shpendëve në vendin tonë, në 24 orët e fundit nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmuar nga ISUV, dhe po ashtu asnjë denoncim apo njoftim në numrin e gjelbër. AKVMB vazhdon monitorimin e situatës me veterinerët zyrtarë të shërbimit me kontrolle në ferma me drejtim prodhimtari vezë, mishi dhe miks, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.  Nuk ka vatra të tjera të raportuara apo dyshuara nga kontrollet e kryera për monitorim. Ndërkohë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vazhdon rregullisht kontrollet në të gjithë territorin e vendit. Nuk janë konstatuar shkelje apo problematika.

Në 24 orët e fundit

•          Nuk kemi asnjë rast të ri të konfirmruar

•          Nuk kemi vatra të reja infeksioni

•          Nuk kemi asnjë stabiliment me drejtim prodhim për mish të infektuar

•          Vazhdojmë fushatën sensibilizuese për informimin e fermerëve mbi evidentimin dhe raportimin e rasteve të dyshuara.

•          Vazhdojmë monitorimin e të gjithë territorit

Garantojmë konsumatorin se ushqimet në tregun tonë, në qendrat e licensuara janë të sigurta”, tha zv.ministrja.