Kontrollorët e “AlbControl” ndërprenë dje punën me argumentin kryesor uljen e pagave, duke shkaktuar bllokimin e fluturimeve në aeroportin “Nënë Tereza”.

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë në nenin 248 ka sanksionuar se veprimet a mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë.

Neni 248 – Shpërdorimi i detyrës- Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë”.

Megjithatë Avokati i Sindikatës së Pavarur të Transportit Ajror, Rezart Kthupi, theksoi se nuk ka hapësirë ligjore për të çuar kontrollorët për ndjekje penale pasi ishin në kushtet e respektimit të një detyrimi ligjor.