Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të pezullojë menjëherë aksionin e saj ushtarak në Ukrainë. Megjithëse vendimet e GJND-së janë të detyrueshme, nuk dihet nëse Moska do ta respektojë këtë vendim.

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), vendosi të mërkurën mbi një kërkesë urgjente të Ukrainës që Rusia të ndalojë pushtimin e saj.

Me 13 vota pro dhe 2 vota kundër, Federata Ruse duhet të pezullojë menjëherë operacionet ushtarake që filluan më 24 shkurt, thuhet në vendim.

Vendimi i gjykatës është vendimi i parë i tillë i dhënë nga një gjykatë ndërkombëtare që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Cili është rasti? 

Kievi akuzon Moskën për përpjekje të paligjshme për të justifikuar luftën duke pretenduar në mënyrë të rreme gjenocid në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës lindore.

Përfaqësuesi i Ukrainës, Anton Korynevych kërkoi të detyronte GJND-në që të urdhëronte Rusinë që “të pezullonte menjëherë operacionet ushtarake”. 

“Rusia duhet të ndalet dhe gjykata ka një rol për të luajtur,” tha përfaqësuesi i Ukrainës Anton Korynevych në gjykatë, e cila është me seli në Hagë.

Rusia i bojkotoi seancat e GJND-së në fillim të këtij muaji.

Në një dosje me shkrim, Moska argumentoi se gjykata “nuk kishte juridiksion” sepse kërkesa e Ukrainës binte jashtë fushëveprimit të Konventës së Gjenocidit të OKB-së të vitit 1948, mbi të cilën ajo bazoi çështjen e saj.

Rusia vazhdoi duke thënë se “po vepronte në vetëmbrojtje” për të justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë.

Ukraina tha se Konventa e Gjenocidit, të cilën të dy vendet e kanë nënshkruar, nuk lejon një pushtim për të parandaluar një gjenocid. Nuk ka asnjë provë se Ukraina ka kryer apo planifikuar sulme që mund të konsiderohen si krime kundër njerëzimit.

A bie çështja nën juridiksionin e GJND-së?

Marieke de Hoon, një asistente profesoreshë e së drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, i tha agjencisë së lajmeve AFP se GJND-së i duhej vetëm të përcaktonte nëse kishte një mosmarrëveshje mbi interpretimin e Konventës së Gjenocidit.

“Nuk do të jetë e vështirë për GJND-në të vendosë se ky prag i ulët është arritur,” tha ajo. “Nëse Rusia do të bindet është një çështje krejtësisht tjetër.. 

GJND-ja u krijua pas Luftës së Dytë Botërore për të vendosur mbi mosmarrëveshjet midis shteteve anëtare të OKB-së, bazuar kryesisht në traktate dhe konventa.

Vendimet e GJND-së janë të detyrueshme, por ajo nuk ka mjete ekzekutive për t’i zbatuar ato.

Kjo çështje është e ndarë nga një hetim i krimeve të luftës në Ukrainë i nisur nga Gjykata Ndërkombëtare Kriminale (ICC), një gjykatë e veçantë me qendër gjithashtu në Hagë.

Cilat janë zhvillimet e fundit në Ukrainë?

Sesioni i GJND-së i së mërkurës vjen ndërsa forcat ruse shtojnë sulmet ndaj ndërtesave të banimit në Kiev.

Sipas agjencisë së refugjatëve UNHCR, numri i refugjatëve që ikin nga Ukraina ka arritur në 3 milionë.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut raportoi se 691 njerëz janë vrarë dhe 1,143 janë plagosur deri më tani, duke vënë në dukje se shifrat aktuale ka të ngjarë të jenë “dukshëm më të larta”. 

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se pozicionet në negociatat mes përfaqësuesve rusë dhe ukrainas kanë filluar të duken “më realiste”. Të mërkurën, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha se ka “shpresë për kompromis”. 

DW, përshtati në shqip për ©LAPSI.AL, Arbër Kaceli