Shteti gjerman i Bavarisë po negocion një kontratë paraprake për sigurimin e 2,5 milionë dozave të vaksinës ruse Sputnik V, siç bëri të ditur të mërkurën lideri rajonal Markus Soder. Vaksina, e cila po përdoret edhe në Shqipëri, është ende në fazë shqyrtimi nga Agjencia Europiane e Barnave.

“Ministri bavarez i Shëndetësisë erdhi tek unë para disa ditësh dhe më tregoi draft-kontratën që do të nënshkruanim me një kompani në Ilertisen, e cila do të na furnizojë me vaksinën Sputnik nëse do të aprovohet në Europë. Plani është të blihen 2,5 milionë doza në muajin qershor për të rritur kapacitetin e vaksinimit në rajon”, u shpreh Markus Soeder, kryeministër i Bavarisë.

Dega në Gjermani e prodhuesit rus, R-Pharm, ka një linjë prodhimi në qytetin bavarez të Ilertsen dhe do të prodhojë vaksinën ruse sipas disa mediave gjermane. Söder, një kandidat i mundshëm për të pasuar Angela Merkelin i ka kërkuar EMA-s që në mars, të përshpejtojë procesin e aprovimit për Sputnik V. Fushata e imunizimit në Bashkimin Europian është kritikuar si shumë e ngadaltë dhe shtete anëtare, të tilla si Austria dhe Sllovakia, kanë njoftuar tashmë se do të negociojnë për sigurimin e vaksinës ruse. Hungaria është aktualisht i vetmi shtet i bllokut që po përdor Sputnik V.

Qeveria gjermane ka thënë se do të presë vendimin e rregullatorit europian para se të hyjnë në negociata për blerjen e vaksinës ruse, por vendi ka qenë mes mbështetësve kryesor të Sputnik në BE. Shtete të tjera perëndimore akuzojnë Moskën se po përdor vaksinën si mjet për të zgjeruar ndikimin gjeopolitik.