Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha sërish deklaroi se gara e brendshme është një vlerë e kësaj partie politike. Nga Durrësi, në një takimin me qytetarët, kryedemokrati theksoi se nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve. Sipas liderit të PD-së, votat e 25 prillit janë manipuluar, duke e cilësuar atë si “masakra elektorale të 25 prillit”.

“Dy përgjigje të qarta dhe të prera për dy pyetje që shtrohen e rishtohen. Kryetari i Partisë Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 25 prillit si legjitime dhe përfaqësuese të vullnetit të shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e hedh poshtë me neveri bashkëpunimin me autorin e kësaj masakre dhe i ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen në të vetmen rrugë që ka një shoqëri e civilizuar, e në veçanti një shoqëri që është nisur drejt destinacionit Europian”, deklaroi Basha.

Më tej Basha theksoi se kundërshtari i vetëm është regjimi Rama-Doshi.