Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ka kthyer përgjigje Kuvendit lidhur me ftesën për t’u paraqitur në seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij. Në përgjigjen e tij,  Meta vë theksin se kërkesa nuk “referon asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore për bazueshmërinë e saj”.  Meta shprehet se Komision Hetimor, është ngritur në shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe Rregullores së Kuvendit, “si produkt i një veprimtarie të tërë parlamentare fiktive, duke krijuar një strukturë hetimore që nuk ka tashmë as legjitimitet për të vepruar”. Sipas tij, kjo nismë është një formë hakmarrjeje.

Më tej, vijon duke sqaruar se “Presidenti i Republikës e ka përmbushur dhe do të vijojë ta përmbushë detyrimin kushtetues për të qenë transparent në raport me popullin shqiptar, pasi çdo akt, vendimmarrje, dekret etj., i ka bërë publike në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës dhe në mjetet e informimit publik”.