Pas deklaratës së dhënë nga Taulant Balla ditën e sotme në seancën plenare në Kuvend, ku i ka bërë thirrje PD-së që t’i bashkohet nismës për shkarkimin e Metës ka reaguar Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. Në një status në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se gjeja e vetme me të cilën duhet të merremi është vjedhja e votave në zgjedhjet e 25 prillit.

“Gjëja e vetme me të cilën duhet të merremi dhe sigurisht Taulant Balla nuk pranon të bëjë, është vjedhja më e madhe e votave në historinë e Shqipërisë. Rama-Doshi-Rakipi e çoi vendin tonë në një masakër masive elektorale dhe viktimë janë qytetarët shqiptarë.

Detyra jonë është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Çdo çështje tjetër, synon që të shmangë vëmendjen nga masakra elektorale Rama-Doshi-Rakipi, që është turpi i vetëm i Shqipërisë”, shkruan Bardhi