droga fotot
Policia italiane publikoi fotot e dy shqiptarëve dhe dy italianëve që transportonin drogë me avion ultra të lehtë nga Shqipëria në Itali. Ata u kapën në Torino nga sektori i antidrogës dhe antimafias në policinë e këtij rajoni. Shqiptarët janë Maksim Llanaj 37 vjeç dhe Fitor Aliaj, 43 vjeç, i njohur me emrin Vito, që të dy nga Vlora. Ndërsa italianët janë Pasquale D’Ambrosio 58 vjeç dhe Rosario Campisi 60 vjeç. Policia italiane tha se një prej drejtuesve të këtij grupi të narkotrafikut gjendet në Shqipëri. Është ai personi që siguronte marijuanën dhe vendin ku ulej avioni që drejtohej nga njëri prej italianëve dhe njëri nga shqiptarët. Policia tha se ky avion kishte transportuar drogë në muajin qershor nga Shqipëria në Torino. Kjo deklaratë përgënjeshtroi atë të bërë nga Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në parlament. Ai tha se avioni me drogë po nisej nga Torino për në Lecce.