Mauro Icardi ka ndezur merkaton me vetëm një foto, por që mund të tregojë shumë për transferimin e ardhshëm të sulmuesit të PSG. Argjentinasi ka postuar një foto në të cilën duket celulari i tij që fotografon zebrat gjatë safarit në Afrikë. Disa shkrepje, që me nënkuptim janë zgjedhur nga gruaja-menaxhere e tij Wanda Nara, kanë shkaktuar zëra të reja në lidhje me lëvizjen e tij të mundshme te Juventus, ndoshta edhe si pjesë e një shkëmbimi me Cristiano Ronaldon.

Tifozët bardhezi kanë nisur menjëherë interesimin me pyetjet e zakonshme: “Çfarë po bën, do vish te Juve?” shkroi dikush, duke komentuar imazhet e marra nga sulmuesi në rrjetin social. “Zebër juventine?”, shtoi një tjetër, duke kujtuar se zebra është simboli i Juventus.

 

Detaj apo rastësi? Për momentin situata është natyrisht në fushën e sugjerimeve, por çdo sinjal në rrjetet sociale duhet të shqyrtohet, peshohet dhe interpretohet me shumë vëmendje kur bëhet fjalë për Icardin. Së bashku me Wanda Nara, për më tepër, Maurito nuk i lë asgjë rastësisë kur bëhet fjalë për të komunikuar me ndjekësit e tij dhe zebat në shënjestër të objektivit të tij nuk kanë kaluar aspak pa u vënë re.