Ditën e djeshme u mësua se përfaqësuesja e Serbisë në konkursin “Miss Intercontinental”, Valentina Petrovic, është tërhequr nga gara, sepse bëri foto me simbolin e shqiponjës dykrenare. Ajo pozoi krah përfaqësueseve të Malit të Zi, të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Mirëpo përveç kësaj fotoje, në rrjet është bërë virale edhe një iamzh tjetër, në të cilin Miss Shqipëria dhe Kosova, përkatësisht Frontina Gashi dhe Besa Çitaku, pozojnë me Valentinën duke ngritur tre gishtat e dorës lart.

Ky është një simbol serb që përdoret për të kundërshtuar shqiptarët, kroatët dhe sllovenët. Vitet e fundit ky gjest ka marrë ngjyrime të forta nacionaliste, pasi u përdor në masë nga forcat paramilitare serbe në luftë, fillimisht kundër myslimanëve.

Sot përshëndetja përdoret nga anëtarët dhe mbështetës të pothuajse të gjitha partive politike serbe në tubimet e tyre gjatë fushatave zgjedhore. Ajo mund të shihet në të gjitha llojet e demonstratave në rrugë dhe festime. Përshëndetja është përdorur shpesh nga tifozët dhe lojtarët kur festonin për fitoret e tyre.