Arben Ahmetaj nuk ka munguar në seancën e parë të Kuvendit pas shkarkimit të tij nga posti i zv.kryeministrit dhe Ministrit të Rindërtimit. Edhe pse ishte një seancë e shkurtër, e fundit për këtë sesion, Ahmetaj ishte në sallë.

Vendi që ai kishte zgjedhur ishte krah numrit dy të Partisë Socialiste, Sekretari të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri. Edhe pse dukej i buzëqeshur, Ahmetaj s’e ka fshehur pakënaqësinë me vendimin e Ramës. Kjo në fakt u vu re edhe në ceremoninë e inagurimit të Presidentit të ri të Republikës.

Ahmetaj e dinte vendimin më herët edhe pse ai u zyrtarizua nga Edi Rama të hënën e 25 korrikut. Arsyet e shkarkimit mbeten mister. Opozita nga ana e saj pretendon se vendimi i Ramës lidhet me dosjen e inceneratorëve. Megjithatë deri më tani s’ka asnjë zhvillim tjetër për këtë aferë miliona euro.