Ndeshja me Chelsea ishte shumë e rëndësishme për skuadrën e Frank Lampard, e cila kishte nevojë për të gjithë ndihmën e mundshme për të shmangur rënien nga Premier League. E me shumë mundësi, në fitoren 1-0 të Toffies një meritë të madhe kanë edhe tifozët e klubit të Merseyside, që bënë të pamundurën për t’i penguar njerëzit e Thomas Tuchel të flenë gjumë të qetë para përplasjes së rëndësishme në Goodison Park.

Mbështetësit e skuadrës nga Liverpool i pritën Blues me fishekzjarre që zgjatën deri në agim. Synimi ishte, natyrisht, që të mos lejonin lojtarët e klubit londinez të flinin dhe të pushonin përpara ndeshjes. Videot e postuara në mediat sociale tregojnë fishekzjarre dhe shpërthime jashtë hotelit dhe, siç raportohet, ato zgjatën më shumë se një orë e gjysmë, deri pothuajse në orën 3 të mëngjesit.