Sipas një raporti të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), edhe nëse vaksinimi do të jetë i suksesshëm, pritet që pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) do të rrezikojë ekonominë në 3-5 vitet e ardhshme dhe do të dobësojë stabilitetin gjeopolitik në 5-10 vitet e ardhshme.

Në raportin mbi rreziqet globale për vitin 2021, forumi WEF me bazë në Zvicër, më i njohuri për organizimin e konferencave vjetore të Davos-it, paralajmëron për ndikimin negativ në ekonomi të shpërthimeve të tilla si COVID-19, duke theksuar se shpërthime të tilla përkeqësojnë pabarazitë dhe ndarjet shoqërore.

“Miliarda kujdestarë, punëtorë dhe studentë, veçanërisht pakicat që ishin në disavantazh para pandemisë, tani rrezikojnë të humbin rrugën e tyre drejt shoqërive të reja dhe më të paanshme që rimëkëmbja mund t’i zbulojë”, tha WEF.

Për gjeneratën e re, që do të preket më së shumti nga këto zhvillime, rreziqet afatmesme dhe afatgjata janë mjedisore, ndërsa shqetësimet e menjëhershme përfshijnë përkeqësimin e shëndetit mendor dhe krizave të jetesës.

WEF kryesisht apeloi që bota të zgjohet nga shqetësimet mjedisore, të cilat kryesojnë listën e shqetësimeve të mëdha nga ndikimi dhe probabiliteti gjatë dekadës së ardhshme.

Raporti po ashtu thekson se hendeku dixhital në rritje midis “të pasurit” dhe “të mos pasurit” kërcënon kohezionin shoqëror.

“Kjo do të prekë në veçanti të rinjtë në mbarë botën, pasi ky grup përballen me krizën e dytë globale në një gjeneratë dhe mund të humbasë plotësisht mundësitë në dekadën e ardhshme”, theksoi raporti, duke iu referuar krizës financiare të viteve 2007-2008.

Presionet financiare, dixhitale dhe ato të reputacionit, që rezultojnë nga pandemia COVID-19, po ashtu kërcënojnë të lënë pas shumë kompani dhe fuqinë e tyre të punës në tregjet e të ardhmes.

Përderisa këto pabarazi të mundshme mund të çojnë në ndarjet shoqërore, një perspektivë gjithnjë më e tensionuar dhe e brishtë gjeopolitike po ashtu do të kërcënojë rimëkëmbjen globale nëse fuqitë e mesme nuk do të kenë një vend në tryezën globale.

Raporti tha se ndarjet shoqërore, pasiguria dhe ankthi do ta bëjnë edhe më të vështirë arritjen e koordinimit të nevojshëm për të adresuar degradimin e vazhdueshëm të planetit.

Më tej, raporti theksoi se sëmundjet infektive, krizat e jetesës, moti ekstrem, masat e pamjaftueshme të sigurisë kibernetike dhe pabarazia dixhitale do të jenë midis 10 rreziqeve kyçe gjatë dy viteve të ardhshme.