fmn

Qeveria ndodhet përballë tre mundësive për të ulur borxhin vitin e ardhshëm, angazhim i marrë para Fondit Monetar Ndërkombëtar. Rritjen e të ardhurave nga administrimi, uljen e shpenzimeve ose rritjen e taksave. Në një intervistë ekskluzive për News24 përfaqësuesi i FMN-së në Shqipëri Jenjc Rajnke deklaron se negociatat për buxhetin 2015 ende nuk janë mbyllur dhe vendimi që do të merret për të ulur borxhin i takon qeverisë. “Programi i FMN-së ka si spirancë profilin e borxhit. Ka objektiva specifike për uljen e borxhit. mënyra se si mund të arrihet aty është nëpërmjet përmirësimit të administrimit tatimor , dhe këtu ka përmirësim, por kjo nuk është e mjaftueshme. ka forma të tjera si ndryshimi i nivelit të taksave apo kontrollet e shpenzimeve. propozimet në tavolinë për kombinimin e masave sillen nga qeveria. është vendim politik i qeverisë nëse do të vendosë të shpenzojë më pak dhe të taksojë më pak apo të shpenzojë më shumë dhe të taksojë më shumë. Ne nuk i udhëheqim bisedimet për këtë . Ne këshillojmë dhe kontrollojmë nëse masat e propozuara janë efiçiente dhe a bazohen në praktikat më të mira ndërkombëtare”- shprehet përfaqësuesi i FMN. 
Ai shpjegon se është rënë dakord me qeverinë që investimet të mos preken, çka lë të hapur mundësinë e rritjes së taksave. “Ajo që ne biem dakord me qeverinë është nevoja për të rritur investimet publike, pasi kjo krijon infrastrukturën dhe zhvillon ekonominë. ajo që ne i kemi thënë qeveris është që të ketë një prioritet në shpenzimet e saj, prandaj reforma në sektorin e energjisë është kaq e rëndësishme. Subvencionet për energjinë që vidhet dhe nuk paguhet janë barrë e madhe për buxhetin dhe duhet ndaluar kjo rrjedhë e madhe e parave që mund të ndihmonin potencialin e rritjes ekonomike”. FMN rekomandon reformë urgjente në sektorin energjetik ku përfshihet edhe ndërhyrje tek struktura e çmimit.