Flamur Noka ka thënë sot se Lulzim Basha është shndërruar në një ministër të qeverisë së Edi Ramës, që ka si qëllim që të zhbëjë të gjitha kauzat e opozitës.

Sa i takon firmave që janë dorëzuar në PD, Noka tha se ato janë të ligjshme dhe se shprehin vullnetin e shumicës së demokratëve. Noka tha se përveç 4200 firmave që u dorëzuan dje, gjatë ditës së sotme edhe 150 delegatë të tjerë kanë firmosur pro thirrjes së Kuvendit Kombëtar në datën 11 Dhjetor.

“Nuk ka shqiptar dhe demokrat që nuk e di sot se kush i dogji dhe i shkatërroi të gjitha kauzat e PD, dhe për interesa e arsye të kujt i dogji. Zoti Basha është një peng kryetar, qeveria ka një ministër të shuarjes së opozitës që quhet Lulzim Basha. Është një pakicë, demokratët kanë shprehur vullnetin e tyre përmes shumicës absolute të delegatëve të Kuvendit.

Sot janë mbledhur edhe 150 firma të tjera, është një vullnet absolut i demokratëve kundër pengut. Asgjë nuk e ndal vullnetin e demokratëve.

Duhet të keni parasysh dy gjëra, e para zoti Basha është palë, dhe nuk është ai që mund ta shohë, sekretari i tij është palë, Kuvendi ka të drejtë statutore që të vetëmblidhet, pakica duhet ti nënshtrohet vullnetit të shumicës. Ne i depozituam te i vetmi institucion legjitim që është Këshilli Kombëtar”, u shpreh Noka.