Megjithëse nuk është më deputet, Pandeli Majko vazhdon t’i përmbahet vijës së partisë deri në ditën e fundit kur do të jetë në parlament. Ai ka deklaruar votën pro shkarkimit të Presidentit, megjithëse Rama e nxorri nga lista e kandidatëve fitues duke i dhënë një goditje paralizuese karrierës së tij politike.

“Mendoj që të gjithë kolegët deputetë pa pasur parasysh zhvillimet ka një perceptim për presidentin. Presidenti i Republikës është një individ i burgosur nga privilegjet e veta. Presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe betimin e tij. Pozita ime e vështirë. E mora fjalën për të shprehur votën tim pro shkarkimit, votë që sigurisht më rëndon shumë, por në thelb ka raportin me të vërtetën. Ilir Meta ka qenë pjesë e jona dhe është votuar nga kjo masë votuesish. Është momenti i shkarkimit të Presidentit dhe do të kalojë në 1000 filtra. Kjo që do të prodhohet sot do të kalojë në filtrat e juristëve me përvojë të Gjykatës Kushtetuese. Raporti ynë me të vërtetën duhet të jetë i qartë. Do votoj pro, për të tjerat të na gjykojë koha”, tha Majko në parlament, në atë që mund të  jetë fjalimi i tij i fundit në këtë sallë.