Mjafton të shohësh mënyrën se si e uruan politikanët shqiptarë fitoren e Vetëvendosjen në zgjedhjet e 14 shkurtit, për të kuptuar se si se si janë marëdhëniet e Tiranës me këtë ndryshim radikal që ndodhi në Kosovë.

Kryeministri Rama ishte i fundit që e përshëndeti re4zultatin plebishitar të së dielës. Për më tepër në tekstin e shkurtër të urimit ai as nuk e përmendi as emrin e homologut të tij të ardhshëm Albin Kurti, as atë të Vjosa Osmanit. në intervistën e fundit që dha në TRV Dukagjini në prishtinë në mbylljen e fushatës, Kurti tha se marëdhëniet me Ramën ishin ftohur që pas involvimit të tij në aferën e shkëmbimit të territoreve. Ndërsa me Vjosa Osmanin raporti është i njohur që pas bojkotit që kryeministri i bëri fjalës së saj në parlament. “Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve,LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik&social”, shkruan Rama në Tëitter, pa përmendur emrat e dy prijësve të listës fituese.

Krejt ndryshe Lulzim Basha e përshëndeti fitoren duke uruar personalisht binomin që i priu asaj.

 

“Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë ti adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Do të jem i lumtur të bashkëpunoj ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës, si sa i përket proceseve të integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona. Përgëzime nga zemra qytetarëve të Kosovës, institucioneve dhe partive politike për një proces zgjedhor shembullor me standarte europiane, model demokracie për mbarë rajonin”, shkruajti të dielën në mbrëmje Basha.

Ndërsa Kryemadhi, ndërsa përgëzoi Kurtin dhe Osmanin, tha se mirëpret mundësinë për të pasur një bashkëpunim pas zgjedhjeve në Shqipëri:  “Kosova dhe qytetarët e saj zhvilluan një proces zgjedhor shpresëdhënës këtë 14 shkurt, që edhe nën sfidën e pandemisë, u dominuan nga kultura demokratike për respektimin e vullnetit të sovranit. Urime Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren bindëse. Suksese parlamentit dhe qeverisë së re, me bindjen se do t’i japin një ritëm më të shpejtë zhvillimeve pozitive për forcimin e shtetit të Kosovës dhe integrimit të tij në arenën ndërkombëtare. Mirëpres mundësinë që me qeverisjen e re të Shqipërisë, të jemi krah për krah për bashkëpunim real dhe integrim në të gjitha planet me Kosovën, duke synuar një të ardhme më të mirë të qytetarëve tanë”, shkruajti Kryemadhi.