Real Madrid-Liverpool është edhe një udhëtim historik e në të nuk mund të mungojë një si Michael Owen, që mbërriti në Madrid në verën e vitit 2004 me shpresën se do të bëhej Galactico i fundit që do të shkëlqente në Santiago Bernabeu, pas transferimit të tij nga Liverpool.

Megjithatë, sulmuesi i tërhequr tashmë nga loja pati një vit të turbullt në kryeqytetin spanjoll përpara se të kthehej në Angli, duke luajtur rrallë 90 minutat e plota, pasi ai ishte i detyruar të shikonte Ronaldo Nazario da Liman të bënte tifozët të dashuroheshin pas tij. Anglezi është kthyer tani në një analist, i njohur për një axhendë shumë pro-Premier League dhe ndoshta nuk është befasi që ka mbështetur Liverpool në parashikimin e tij.

“Unë mendoj se Liverpool është më i mirë se Real Madrid dhe ata mund t’i mposhtin 3-1 ose 3-0, sipas parashikimit tim. Reds mund t’i mposhtin në mënyrë bindëse, sepse ata janë një ekip i jashtëzakonshëm për momentin dhe janë shumë të mirë për Real Madrid”, ka thënë fituesi i Topit të Artë të vitit 2001, një çmim që ai e fitoi gjatë kohës që luante për Liverpool. Për ish-sulmuesin skuadra e Klopp nuk do të përsërisë të njëjtat dështime si Chelsea dhe Manchester City kundër këtij ekipi të Real Madridit.